Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se subjekti i tij politik nuk do të shkojë në koalicion parazgjedhor me asnjë parti, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa u shpreh se do të garojnë vetë, gjersa ka shtuar se do të mbesin të hapur për ndonjë subjekt të vogël.
“Akoma nuk kemi vendosur në strukturat e LDK-së, se së shpejti do të organizojmë një mbledhje të kryesisë. Unë mendoj se do të garojmë vet. Mbesim të hapur për ndonjë subjekt të vogël. Por, koalicione parazgjedhore nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik”, ka thënë Mustafa.
Po ashtu, ai për partinë e Albin Kurtit tha se po ia bëjnë qejfin vetës me sondazhe, kurse për vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksoi se ajo mori rol që nuk i takon në momentin kur shpalli zgjedhjet.
“Ishte i papritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo mori rol që nuk e ka, sepse shpalli zgjedhjet. Këtë nuk e bën ajo. Megjithatë ne kemi vendosur ta respektojmë këtë vendim”, tha Mustafa në RTK.