Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në përmbyllje të fushatës zgjedhore ka folur rreth kandidatit të tyre për kryeministër, Avdullah Hotin dhe rreth programit të tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa foli edhe për kundërshtarët politik në këto zgjedhje teksa tha se pavarësisht respektit “nuk duhet që shteti të jetë i kapur apo autoritar”.
“Nuk miratojmë dukuritë dhe tendencat për kapjen e shtetit, etjen për krejt pushtetin, për totalitarizëm dhe autokraci. Të gjithë ne, përveç atyre që kanë lindur pas lufte, e kemi provuar dhe kemi sprovuar karakterin e shtetit totalitar, të njëmendësisë politike. Nuk duhet të lejojmë ta përjetojmë edhe njëherë në asnjë formë dhe në asnjë variant”, tha Mustafa.
I pari i LDK-së u shpreh se ky subjekt politik përkrah ndryshimin, por jo ndryshimin si propagandë.
“Ne përkrahim ndryshimin, por jo çdo lloj ndryshimi. Jo ndryshimin si propagandë. Ndryshimi për LDK-në është ai që e forcon shtetin e Kosovës, e bënë më funksional, që na siguron njohje të reja dhe përmbyllje të plotë të shtetësisë, me njohje nga 5 vende të BE-së, anëtarësim në OKB dhe në NATO. Këto ndryshime më së miri i bënë LDK, si parti shtetformuese”, shtoi Mustafa./Gazeta Sinjali/