Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se kolonat e gjata në pikën e kalimit kufitar në Merdarë po ndodhin si rezultat i mos zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.
Gjatë një vizite në këtë pikë kufitare ku pritjet sot po shkojnë deri në pesë orë, minsitri në detyrë Ekrem Mustafa, ka thënë se pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara.
Në njoftimin e MPB-së thuhet se gjatë vizitës ministri Mustafa dhe drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, u njoftuan për së afërmi me sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë dhe zyrtarët e doganës në këtë pikë kalimi kufitar.
Ata vlerësuan mobilizimin e Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës, në këtë kohë kur ka shtim të fluksit të udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë kalimi kufitar gjatë sezonit veror.
“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”, ka thënë Mustafa.
Minsitri Mustafa u ka bërë apel edhe bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera të kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe potencoi se Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, janë të mobilizuara në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë dhe vendet tjera./Sinjali/