Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar pas kërkim faljes publike nga ana e Rejhan Vuniqit, këshilltares së presidentes Vjosa Osmani.
Vuniqi kishte pëlqyer një ‘meme’ në Instagram në komentin e së cilës përdorej një gjuhë tejet e ulët dhe ofenduese ndaj deputetes Musliu.
Ganimete Musliu falënderon të gjithë ata që kanë reaguar ndaj rastit të saj, teksa shton se pas telefonatës që ka marrë nga Vuniqi kërkon që kjo temë të mbyllet.
“Të gjithë atyre që reaguan, media, kolegë e qytetarë i falënderoj përzemërsisht. Kundër çdo fenomeni negativ duhet të bëhemi bashkë dhe të dënojmë gjuhen denigruese nga kushdo që vjen, jo për Ganimeten apo për ndonjërën nga ne veç e veç, por për të gjitha gratë e vajzat e reja që po rriten në këtë shoqëri. Përkrahja e çfarëdo lloji të dhunës është e pa tolerueshme. Pas telefonatës që me bëri znj. Vuniqi dhe pas sqarimit të saj publik kërkoj që kjo temë të mbyllet. Jam grua dhe dua të besoj që veprim i saj ka qenë i paqëllimshëm e kërkim falja për mua është njerëzore”, shkruan ajo.
Pak më parë Rejhan Vuniqi ka kërkuar falje publike për veprimin e saj teksa ka shtuar se ka telefonuar edhe deputeten Musliu që personalisht t’i kërkoj falje.