image Mungesë punëtorësh gjatë sezonit turistik në Durrës, shkak largimi i të rinjve

Shqipëri

Mungesë punëtorësh gjatë sezonit turistik në Durrës, shkak largimi i të rinjve

news image

Largimi i të rinjve profesionistë në kërkim të një jete dhe të ardhurave më të mira, po krijon çdo ditë e më shumë mungesë të fuqisë punëtore vendase në bizneset private të Durrësit.

Në prag të sezonit turistik, ky është problem më i madh i bizneseve.

“Është problemi më i madh që tashmë bizneset kanë të paktën këto dy vitet e fundit, por këtë vit sidomos, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar”, tha Alban Isteri, Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.

Operatori turistik, Albulen Ndrepepaj thotë se të rinjtë i shohin bizneset vendase si “shkollë”.

Kuzhinierët vijnë këtu, trajnohen, marrin eksperiencën dhe largohen më pas në vendet europiane, siç kemi pasur rastin e fundit drejt Gjermanisë. Aplikojnë për viza dhe kontrata pune dhe largohen nga këtu”, u shpreh Albulen Ndrepepaj.

Kjo i ka detyruar bizneset që të punësojnë të huaj.

Kemi nevojë që të marrim rreth 50-60 persona minimumi. Nga mungesa e stafit kemi aplikuar për këto”, tha Ndrepepaj.

“Vetë nevoja na ka bërë që të marrim staf dhe nga vendet fqinje, siç është Turqia psh, që marrim për pjesën e kuzhinës. Ne kemi vite që marrim staf nga jashtë, këtë vit kemi marrë edhe nga Bali për qendrën tonë të SPA-së dhe së shpejti jemi duke parë të marrim nga India apo Bangladeshi”,  u shpreh Ndrepepaj.

Kadek Rika Antari është një nga vajzat e reja, që ka ardhur nga Tajlanda dhe prej disa muajsh punon në Golem si masazhatore.

“Punoj këtu që prej 8 muajsh në qendrën e SPA-së. Kujdesëm që klientët të marrin atë që kërkojnë. Shqipëria më është dukur vend interesant për tu vizituar, por kur gjeta punën, më pelqu edhe më shumë”, tha Antari.

Por këta punonjës kanë kosto më të lartë, sidomos në rastet kur punëdhënësi u mundëson akomodimin.

Normalisht kostoja është akoma më e madhe, por nevoja na ka bërë që të marrim staf edhe nga jashtë”, u shpreh Ndrepepaj.

“Edhe nga vendet jashtë ka kosto, sepse ne i ofrojmë akomodimin, ushqimin tre vaktet, që ata nuk paguajnë asgjë, i kanë të gjitha të përfshira, të tjerat i paguajmë ne”, shtoi ai.

Një pjesë e këtij vakumi mbushet nga marrja e punonjësve të pakualifikuar, që mund të cënojnë cilësinë e shërbimeve, shkruan euronews.

“Deri tani nuk është ndjerë, por duhen marrë masa, në mënyrë që kjo mos të ndihet, apo mos të cenojë cilësinë e shërbimit me qëllim që turistët të vijnë, të marrin atë shërbim që paguajnë dhe meritojnë”, u shpreh Alban Isteri.

Plotësimi i këtyre mungesave bëhet edhe më emergjent pasi nga 15 maji të gjitha strukturat hoteliere që operojnë në vijën bregdetare Durrës-Golem-Kavajë, do të jenë 100% të zëna.

/GazetaSinjali/