image Mungesa e deputetëve, shtyhet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

Politikë

Mungesa e deputetëve, shtyhet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

news image

Për shkak të numrit të ulët të deputetëve të pranishëm në sallë, Kuvendi i Kosovës i ka mbyllur punimet e sotme, gjë që ka bërë që të mos hudhet në votim as rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) përmes së cilës kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. 

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka njoftuar se në sallën e Kuvendit janë vetëm 50 deputetë.

“50 deputetë janë në seancë duke marrë pjesë, kështu që shihemi një ditë tjetër kur të ju lajmëroj”, ka thënë ai.

PDK përmes rezolutës e cila u prezantua nga deputeti Ferat Shala, kërkon nga Kuvendi dhe kryeministri Abin Kurti që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, ministrja të shkarkohet.

“Duke u mbështetur përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Kosovës për të mbikëqyrur punën e Qeverisë, duke parë me shqetësim paaftësinë dhe dështimin e ministres Rozeta Hajdari për udhëheqjen dhe menaxhimin efikas të ministrisë, Kuvendit i kërkojmë dhe kryeministrit që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të marr vendim për shkarkim të ministres, Rozeta Hajdari”, ka deklaruar Shala.

Pas kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës në rend të ditës ka pasur për trajtim dhjetëra pika tjera të papërfundura nga seancat e kaluara.

Për shkak të pjesëmarrjes së ulët të deputetëve në procesin e votimit, Kuvendi i Kosovës dje vendosi që ta shtyjë për sot (e enjte), emërimin e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).Por, për shkak të mungesës së kuorumit as sot nuk u emërua anëtari i Bordit të Ankesave të Mediave.

Në garë për pozitën e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave janë Granit Mavriqi dhe Martin Komani.

Bordi i Ankesave për Media që nga 15 marsi i vitit 2021, ka mbetur jofunksional, pasi mungon njërin nga tre anëtarët.

Mungesa e ligjvënësve nëpër seanca ka pamundësuar disa herë votimin e pikave të papërfunduara ndonëse për to Kuvendi është mbledhur disa herë gjatë këtij sesioni.

/GazetaSinjali/