image Muhammad Ali refuzoi të kryente shërbimin ushtarak, gjykata vendos në favor të tij

Sporte Luftarake

Muhammad Ali refuzoi të kryente shërbimin ushtarak, gjykata vendos në favor të tij

news image

Gjykata e Lartë amerikane më 28 qershor të vitit 1971, shfuqizoi dënimin e ish-kampionit të boksit për peshat e rënda, Muhamed Ali, i cili kishte refuzuar të rekrutohej në ushtri.

Në vendimin e njëzëshëm të Gjykatës së Lartë thuhej se Muhamed Ali, i njohur me emrin Kasius Klei, ishte rekrutuar pa të drejtë. Kjo sepse agjencia që merrej me rekrutimet, kishte kundërshtuar pa asnjë shpjegim kërkesën e tij.

Muhamed Ali ishte dënuar me 5 vjet burgim, por ishte liruar me kusht gjatë procesit të apeleve. Atij ia hoqën titullin e kamponit dhe liçenca për t’u ndeshur në boks iu anulua nga një numër shtetesh. Por zyrtarët e boksit e kishin lejuar atë t’i kthehej sportit dhe kështu ai filloi të korrte sukses në tetor të vitit 1970, 8 muaj para se gjykata e lartë të merrte vendimin.

Megjithë ndërprerjen e karrierës, Muhamed Ali përsëri ia arriti të dilte në krye. Më 1974, në moshën 32 vjeçare, Muhamed Ali fitoi përsëri titullin kampion në peshat e rënda duke mundur George Foremanin.

Më 28 prill 1967, kur lufta e Vietnamit ishte në kulmin e saj, kampioni i peshës së rëndë të boksit, Muhammad Ali refuzoi të kryente shërbimin në ushtrinë amerikane.

Boksieri i famshëm kërkoi përjashtimin e tij nga radhët e ushtrisë për arsye fetare, por zyrtarët e hodhën poshtë pretendimin e tij se ai ishte klerik i fesë islamike.

Muhamed Ali, i cili ishte lindur në një familje të krishterë me emrin Cassius Clay, e bëri të njohur konvertimin e tij në fenë islamike pasi fitoi titullin e kampionit të boksit për peshat e rënda në shkurt të vitit 1964.

Ai tha se nuk pranonte të mbante emrin, sipas fjalëve të tij “prej skllavi” dhe se do ta ndërronte atë në Muhamed Ali.

Gjatë luftës së Vietnamit, Muhamed Ali u shpreh se, sipas fjalëve të tij, “nuk ushqente armiqësi për Vietkongun”.

Ai u akuzua për këto komente se thjesht po përpiqej t’i shmangej shërbimit në ushtri. Muhamed Ali u shpall fajtor ngaqë kishte refuzuar të kryente shërbimin ushtarak dhe u dënua me pesë vjet burgim.

Por ai nuk u fut në burg gjatë kohës që avokatët e tij e kishin apeluar çështjen./Gazeta Sinjali/