Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë e marrjes së masave të reja kundër pandemisë.
Ndërkohë po bëhen përgatitje për vaksinim edhe me dozën e katërt. Në Kosovë, ndërkaq kanë arritur edhe vaksinat pediatrike që do të aplikohen te fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç.
Raportimet për rritje të rasteve me COVID-19, mund të ndryshojë veprimet e institucioneve shëndetësore.
Madje ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi ka bërë të ditur se komiteti do të takohet për të diskutuar për masat që duhet ndërmerren.
Derisa bën thirrje për vaksinim, ai theksoi se shumë shpejtë do të filloj të aplikohet edhe doza e 4 pa saktësuar kohën.
“Ne do të vendosim në bazë të këshillave të ekspertëve dhe unë bëj ftesë të vaksinohen të gjithë madje shumë shpejtë do të fillojmë edhe vaksinën për dozën e katërt”, tha Latifi.
Ndërkohë, në Kosovë për pak ditë do të nis edhe vaksinimi me doza pediatrike.
“Vaksina është e aprovuar dhe disa shtete kanë fillu më herët dhe tash e kanë mundësinë të gjithë fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç”, tha Fetije Fetaj nga IKSHPK.
Fetaj tregon se tashmë ka nis edhe trajnimi I stafit të qendrave të vaksinimit pasi vaksina pediatrike ka të tjera specifika, raporton RTK.
“Vaksina është me specifika për fëmijë dallon nga vaksinat për të rritur”, u shpreh ajo.
Në Institutin Kombëtarë të Shëndetit Publik kanë bërë me dije se të gjitha komunat do të furnizohen nga stoku që përbën rreth 5000 doza të vaksinave pediatrike.
E sipas IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 raste me COVID nga 280 testime, derisa numri i vaksinimit ditor është vetëm 37 persona.