Testimet për COVID-19 po vazhdojnë çdo ditë në qendra të shumta në tërë Kosovën, mirëpo siç duket rezultatet e testimeve nuk janë duke shkuar edhe aq mirë.
Kjo pasi që së fundmi një Sinjalizues ka bërë të ditur se pas testimit të bërë gjatë ditës së djeshme për koronavirus në Gjakovë ka marrë dy mesazhe të ndryshme nga MSH-ja. Në njërin i është thënë se ka rezultuar pozitiv kurse në tjetrin negativ.
“Z/Znj… keni rezultuar Pozitiv në COVID-19. Obligoheni për izolim 10 ditor shtëpiak dhe monitorim të gjendjes tuaj shëndetësore. Për gjendjen tuaj shëndetësore kontaktoni institucionin më të afërt shëndetësor. Me respekt IKSHPK”, thuhet në mesazhin e parë.
Kurse, pas vetëm 6 minutave Sinjalizuesi ka pranuar një mesazh të dytë, në të cilin i thuhet që ta injoroj mesazhin paraprak.
“I/e nderuar luteni të injoroni mesazhin paraprak. Në testim kundër COVID-19 keni rezultuar NEGATIV. Me respekt IKSHKP”, thuhet në mesazhin e dytë.
Po ashtu, Sinjalizuesi këto mesazhe i ka cilësuar si “hajgare me popull”.
Aktualisht në Kosovë pozitiv me COVID-19 janë 30.871 persona kurse vetëm në 24 orët e fundit janë kryer afro 10 mijë testime, deri më tani që nga fillimi i pandemisë janë kryer 1, 669, 185 testime për COVID-19.