image Motra e Ukshin Hotit beson se ai po mbahet në burgjet e Serbisë: Do ta takoj të gjallë

Sociale

Motra e Ukshin Hotit beson se ai po mbahet në burgjet e Serbisë: Do ta takoj të gjallë

news image

Motra e profesorit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kosumi, po beson se vëllai i saj gjendet në burgjet e Serbisë.

Ajo është shprehur optimiste se do ta takon të gjallë Ukshin Hotin.

“Mendoj se ai është në burgjet e Serbisë. Kjo për shkak të inteligjencës së tij. Ata e kanë vlerësuar atë, e kanë parë rrezikun ndaj atij. Unë besoj që do ta takoj të gjallë. Derisa nuk del e kundërta, unë besoj ende”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se një serbe, e cila e kishte dhëndrin ushtarak i kishte treguar se Ukshin Hoti është gjallë në burgun e Nishit.

“Unë kam dashtë me gjet vëllain tim. Me një serbe 3 vjet kam pasur kontakte. Ajo më ka thënë se e ka pa Ukshinin në burg të Nishit. Ajo e ka pas çikën në administratë dhe dhëndrin ushtarak. Në prezencën time ajo ka thënë se ai është gjallë, por nuk lëvizke askush. Ajo më pyeste se çfarë është në pyetje pse nuk po lëviz askush”, ka deklaruar ajo.

Hoti-Kosumi thotë se deri tani nuk ka pasur mbështetje për zbardhjen e fatit të vëllait të saj.

“Deri tani nuk jam e kënaqur. Unë kam vrapuar edhe në Shqipëri edhe në Kosovë e Maqedoni. Kam kërkuar ku është vëllai im, por deri tani kam hasur në vesh të shurdhur. Nuk më ka përkrahur askush”, ka theksuar ajo në T7.

Ajo është shprehur se nuk do të dorëzohet kurrë së kërkuari Ukshin Hotin e të vërtetën për të./Gazeta Sinjali/