Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur 18 aksidente me të lënduar, disa prej të cilëve edhe në Mitrovicë, e Suharekë.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se mbrëmë në rrugën Vushtrri – Mitrovicë, dy automjete janë përfshirë në një aksident trafiku, ku kanë mbetur të lënduar tre persona, shoferët e veturave dhe një pasagjer, Aksidenti dyshohet se u shkaktuar nga një 20-vjeçar, i cili si pasojë e mosmbajtjes së distancës, ka goditur veturën tjetër.
Ndërsa një aksident tjetër ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës, ku po ashtu dy vetura janë aksidentuar, pasi nuk janë respektuar shenjat e komunikacionit, ashtu që njëri nga shoferët dyshohet se e ka përplasur veturën tjetër, për çka të dy kanë marrë lëndime trupore.
Edhe në aksidentin në Suharekë janë përfshirë dy vetura, ku një shofere dyshohet se ka humbur orientimin me ç’rast ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur veturën tjetër. Përpos dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë dëmtuar edhe disa pemë dekorative të parkut dhe rrethojat e një shtëpie private.
Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar dy persona, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren. Sipas burimeve, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Nga një aksident në trafik e pësuan edhe një 20-vjeçare dhe një 13-vjeçare në qytetin e Vushtrrisë. Ato dyshohet se janë goditur në vendkalimin e këmbësorëve nga një 35-vjeçar. Si pasojë e lëndimeve, ato janë dërguar në spital.