Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Lipjan, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në fshatin Gadime e Ulët ku dy vëllezër janë në probleme mes vete. Në telashe u përfshi edhe gruaja e njërit prej vëllezërve e cila dyshohet se ka incizuar me telefonin e saj fjalosjen mes burrit dhe kunatit të saj.
Sinjali mëson se kjo ka nervozuar kunatin e saj i cili me të parë se është subjekt i filmimit, ka nisur të fyejë me fjalë të rënda bashkëshorten e të vëllait dhe të njëjtën e ka gjuajtur edhe me gurë.
Përballë kësaj situate është njoftuar edhe Policia të cilët kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin dhe ta shoqërojnë atë për në stacion policor.
43-vjeçari ka vazhduar edhe më tej me kërcënime ndaj vëllait dhe kunatës së tij, duke i ‘porositur’ ata që mos ta presin kur të dalë nga burgu.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulmi’.