image “Mos rrej, gënjeshtar, turp”, Ganimete Musliu përplaset në Kuvend me ministrin Peci

Politikë

“Mos rrej, gënjeshtar, turp”, Ganimete Musliu përplaset në Kuvend me ministrin Peci

news image

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është përplasur me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, për çështjen e anulimit të thirrjes për grante.

Musliu ka kërkuar nga ministri Peci të tregojë në cilën datë e ka anuluar thirrjen për grante dhe ku e ka publikuar, pasi sipas saj, vendimi nuk është i publikuar në web faqen e ministrisë.

“Pyetja konkrete për juve është kur, me cilën datë është anuluar ajo thirrje dhe pse nuk është bërë publike. Sepse ju e dini se shpallja ka qenë publike dhe sipas Ligjit, edhe anulimi do të duhej të bëhej publik edhe miqësisht ju kam kërkuar që informatën të ma dërgoni përmes e-mail-it, por nuk kam marrë përgjigje”, ka pyetur Musliu-Pecin.

Ministri është përgjigjur se vendimin për anulimin e thirrjes për grantet është i publikuar në web faqen e ministrisë.

Ai ka deklaruar se vendimi për shpalljen e dytë të granteve është anuluar.

Sipas tij, arsyeja pse ka ardhur deri te anulimi është paralajmërimi i vlerësimit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për shkeljet e evidentuara në proces të vlerësimit.

“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të përsëritjes së shkeljeve të vazhdueshme që kanë ekzistu në këtë institucion. Nuk është e vërtetë që për herë të parë kam diskutu, të gjitha vendimet që i marr si ministër bëhen publike në web faqen e Ministrisë…”, ka deklaruar Peci.

Pas përgjigjes së Pecit, Musliu e ka marrë fjalën përsëri, për t’i kërkuar edhe një herë ta tregojë datën e anulimit të vendimit.

Sipas Musliut, fermerët nuk janë në njohuri të anulimit të këtij vendimi, madje sipas saj, ministri Peci nuk është duke e kuptuar pyetjen e saj.

“Ministër po mundohem me e thjeshtësua më shumë, sepse s’je duke me kuptu çka po pyes. Nuk po i lypi arsyet pse është anulu, është e drejtë që ju e keni vendosur me e anulu, më intereson me e ditë shkurt dhe saktë, me cilën datë është anulu, është marrë vendimi për anulim, dhe me cilën datë është publiku sipas juve dhe ku është publiku, sepse fermerët këtë pyetje ma bëjnë vazhdimisht”.

“Shumë thjesht dhe shumë shkurt pa arsyetime sepse nuk më interesojnë arsyetimet pse, më intereson data e saktë kur është anulu dhe kur është shpallë”, ka theksuar Musliu.

Ministri Peci përsëri iu drejtua deputetes se mund ta kërkojë vendimin në web faqen e Ministrisë.

“E nderuar deputete juve munden mos me ju interesu arsyetimet, por mu më interesojnë shumë arsyetimet edhe vendimi për anulimin ka ndodhur në muajin korrik, ndërsa vendimi është publik në faqen e Ministrisë së Bujqësisë, futu aty dhe e gjen pjesën e vendimit”, tha Peci.

Ndërkaq, kjo shkaktoi edhe përplasje ndërmjet deputetes Musliu dhe ministrit Peci.

Musliu e ka quajtur gënjeshtar Pecin.

“O datat, datat o zotni, datat, mos gënje, t’kom zanë tu rrejt, edhe vjen më filozofon, mos rrej, datat… Gënjeshtar, edhe shkollën e Bujqësisë na e ke hapë në Skenderaj gënjeshtar, turp”, i tha Musliu-Pecit./GazetaSinjali/