Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë thënë se janë injoruar gjatë konsultave të Qeverisë rreth situatës me COVID-19.
Përmes një njoftimi në Facebook, AKK ka thënë se nuk janë ftuar në Komitetin antiCOVID.
AKK ka ftuar Qeverinë që të bashkëpunojnë ngushtë dhe sinqertë “sepse numri i rasteve me COVID-19 është në rritje“.
Postimi i plotë:
QEVERI MOS I INJORONI KOMUNAT
Qeveria e Republikës së Kosovës përsëri i anashkaloi apo më mirë të themi i injoroi edhe një herë komunat e Republikës së Kosovës (për të disatën herë radhazi) sa i përket konsultave rreth situatës me pandemi COVID 19, duke mos e ftuar Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) si anëtar të Komitetit Anti COVID 19. Kjo tregon se AKK u përjashtua edhe një herë nga ky komitet, i cili nga komunat cilësohet si mekanizëm shumë i rëndësishëm në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID 19. Komunat e Republikës së Kosovës edhe një herë ftojnë Qeverinë e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë dhe sinqertë sepse numri i rasteve me COVID 19 është në rritje dhe një injorim i tillë i komunave është i pajustifikueshëm.
Komunat janë të qytetarëve të saj dhe e kanë KRYETARIN që është zgjedhur me votë të drejpërdrejtë, prandaj në asnjë mënyrë nuk bën të injorohen si të tilla.
Jeta zhvillohet në komuna. Kryetarët e Komunave që nga fillimi i pandemisë kanë qenë në ballë të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID 19 andaj kërkojmë që të bashkëpunoni ngushtë me të gjitha komunat dhe me AKK si përfaqësues i komunave, në mënyrë që situata me COVID të përballohet më lehtë. Si gjithnjë, edhe këtë herë komunat kërkojnë qasje konstruktive nga Qeveria e Republikës së Kosovës kundruall nivelit lokal. AKK është rikthyer në këtë komitet me vendim të ish ministrit Arben Vitia.