image Monopoli në Graçanicë: Komuna i bie pishman pasi ia dha lejen kompanisë me pronar shqiptar

Kosovë

Vendim/ Monopoli në Graçanicë: Komuna i bie pishman pasi ia dha lejen kompanisë me pronar shqiptar

news image

Banorët e Graçanicës kanë vetëm një mundësi për të thirrur një taksi në këtë komunë. Kompania e vetme që është duke funksionuar në këtë komunë është “Maxi Taxi”, ndërsa kompania tjetër që kishte qenë duke funksionuar deri muaj më parë i është revokuar leja nga kjo komunë, raporton Gazeta Sinjali.

Kompania “Shoferi im” me pronar shqiptar i ishte dhënë leja për qarkullim në këtë komunë, por pas tre muajve që kishte funksionuar kjo kompani, asaj i është revokuar leja nga Komuna e Graçanicës.

Menaxheri i kësaj kompanie Bujar Bajqinca, po pretendon se ka pasur shkelje të mëdha në revokimin e lejes së punës për kompaninë e tij. Ai po pretendon se kjo gjë është bërë vetëm pas ankesës së kompanisë “Maxi Taxi” duke u krijuar monopol për këtë kompani.

“Më 22 maj më është lëshuar leja nga Komuna e Graçanicës, por më 22 gusht është ankuar kompania e vetme që ka leje të punës për taksi në Graçanicë dhe më 29 gusht na është revokuar leja e punës”, ka deklaruar ai për Gazetën Sinjali.

Më tutje ai ka thënë se nuk është duke e respektuar këtë vendim të Komunës së Graçanicës, për shkak se sipas tij një vendim i tillë nuk posedon vulën e Komunës dhe për këtë arsye nuk do ta respektoj revokimin e lejes së punës.

Në anën tjetër, Drejtori i Departamentit për Zhvillim Ekonomik dhe Integrim i Komunës së Graçanicës, Nebojsa Milovanoviç, thotë se gjithçka është bërë sipas ligjit.

“Disa muaj më parë, u mor një vendim për dhënien e lejes së punës, licencën për të kryerjen e aktiviteteve taksi në territorin e komunës së Graçanicës. Në ndërkohë, ka pasur një ndryshim në ‘Ligjin për Trafikun Rrugor’ dhe është miratuar një rregull i ri për operatorët taksi në komunë, “tha Milovanoviç për RTV Kim.

Milovanoviç shton se, pas ankesave të operatorëve të tjerë të taksisë për punën e asaj kompanie, shoferët janë “licencuar me vendim të komisionit”.

“Kur komisioni shqyrtoi ankesat nga operatorët individualë, u mor me një vendim që ishte kundër ligjit. Bazuar në rekomandimin e komisionit, ne morëm një vendim që të ndërpresim atë licencë dhe u dhamë atyre një periudhë 8-ditore të ankimit, siç kërkohet me ligj. Ne kemi pranuar ankesën dhe Komisioni i Ankesave i Komunës së Graçanicës do ta shqyrtojë atë brenda dy ditëve të ardhshme” shpjegon Milovanovic./Gazeta Sinjali/