Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka postuar video të deklaratave të Albin Kurtit dhe Liburn Aliut në kohën kur kishin thënë se duhet zbutuar pabarazia sociale në pasuri.
Në njërën nga këto video, Kurti thotë se të larguarit e PSD-së ishin të privilegjuarit e VV-së, ndërsa tani pas deklarimit të pasurisë nga Grupi Parlamentar i VV-së kanë dalë më së shumti milionerë.
“Poshtërsia ‘Liburn Aliu’. ‘T’i lëvizim këmbët tona sipas ëndrrave të të varfërve’ nuk ka qenë porosi zgjedhore e Kurtit. Ka qenë sulm direkt ndaj atyre që nuk i bindeshin atij për çështje krejt tjera.”
“Shikojeni Liburnin, po flet këtu për ‘diferencimet’ e pagave në Sekretariat. Për këto vendime ishte përgjegjës edhe Kurti. I njëjti nivel pagash ka mbetur edhe sot ne VV. Gjuetia e shtrigave i duhej Albinit. Liburni të neveriste me gatishmërinë për të shërbyer”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
“Shtëpia nga 60 në 300 metra katror. Si qenka zvogëluar pabarazia? Pagat në VV u rritën, kurse nivelet mbetën të njëjta. Si u zvogëlua pabarazia?! Rroftë vegjëlia, Albin! Moralizimi instrumentalizues po shitet shtrenjtë”, shtoi ai.
Molliqaj i ka përmendur Aliut edhe banesën në Marigona Hill.
“Njëmend Liburn! Marigona Hill a?! S’do ta kisha besuar kurrë edhe pasi s’kemi fole më ndërmjet vete. 100 metra katrorë nuk është fundi i botës. Por Liburn, Marigona Hill është fundi yt. Ti e di çfarë përfaqëson ajo. Ajo është dëshira për të qenë elitë, imagjinata milionere për harmoni, për një botë të organizuar shoqërisht.”
“Kjo idilikë Liburn, ky socializëm i rregulluar, e ka parakusht kapitalizmin e xhunglës. Prandaj është e mbyllur dhe e siguruar. Ti je andej gardhit Liburn, por kurrë më i humbur dhe i pa sigurt s’ke qenë. Lagjet e egra që s’ia dinë kimetin qetësisë, do ta shohin tjetërsimin tënd. A thua si e thërret dikë për kafe n’shpi”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/