I pari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shkruar rreth takimit që u mbajtë në SHBA, mes presidentes Osmani, kryeministrit Kurti dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken.
Molliqaj ka parashtruar disa pyetje lidhur me këtë takim, duke u interesuar rreth çështjes se cilat ishin kërkesat dhe cilat garanci u kërkuan nga SHBA.
Sipas tij, test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Çka ndjehet nga ky takim është se u shkrinë disa raporte. Pra na paska qenë një problem aty. Por në kuadër të cilës qasje u pranua takimi? Test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
A u përdor Kosova si shkallë për raporte më të mira për veten e tyre? Cilat janë kërkesat, e cilat garanci u kërkuan në takim nga ShBA. E më kryesorja, në kuadër të cilës zgjidhje diskutuan? Ata nuk thanë asgjë të re. Pra jemi tek opsioni i vjetër, që nuk po vjetrohet”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas Molliqajt, Amerika është treguar mjaftueshëm e hapur për zgjidhje finale, sipas nevojës së Kosovës, por jo edhe Kurti e Osmani.
“Ata mbeten të ngujuar në pozicione sovraniste dhe të vetëmjaftueshmërisë. Theksimi i njohjes, por asnjëherë lloji i kompromisit, tregon shumë për substancën. Njohja do duhej të ishte efekti politik i një marrëveshjeje përfundimtare. Por jo. Kur pozicion dhe kriter kryesor e ke njohjen në kuadër të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si projekt, atëherë dihet që do ta kesh AKS-në, pa njohje”, ka shkruar Molliqaj.