Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka vazhduar me kritikat e tij për Qeverinë e Kosovës dhe për kryeministrin, Albin Kurti, në veçanti, raporton Gazeta Sinjali.
Ai thotë se “populizmi autoritar i Kurtit” është pasqyrim i përpiktë i Hungarisë së Orbanit.
Ai ka përmendur tentimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndryshuar Ligjin për Zgjedhje, e cila sipas tij, është karakteristikë kyçe e populistëve.
Sipas tij, ngjashëm me Hungarinë edhe Kosovës po i kanoset rreziku për arritjen e pushtetit absolut.
“Karakteristikë kyçe e populistëve është fakti që me marrjen e pushtetit fillojnë ndërhyrjet e para në Ligjin për Zgjedhje dhe zgjedhjet në përgjithësi. Kështu manipulojnë e korruptojnë institucione të zgjedhjeve dhe ndërtojnë hapësirën për të arritur pushtetin absolut nën pretekstin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Është po i njëjti rrezik që po e kanos Kosovën sot”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Molliqaj ka thënë se një “ndërhyrje e tillë e përçudnuar mbi demokracinë” nuk duhet të kalojë pa rezistencë./Gazeta Sinjali/