Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbwshtetur Prizrenin, Istogun dhe Lipjanin në infrastrukturë fizike sportive.
Kjo u bë e mundur pas nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit për investime në këto komuna.
Më poshtë mund ta lexoni kumunikatën e plotë:
Ministrja Vlora Dumoshi bashkë me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kanë nënshkruar tri memorandume, konkretisht bëhet fjalë për projektin “Stadiumi i fshatit Gjonaj” i cili do të implementohet gjatë periudhës 2020-2022, projekti “Poligoni sportiv në Mushnikovë” që do të implementohet në këtë vit dhe projekti “Fusha Sportive në Lubinjë të Epërme” që po ashtu do të imlementohet këtë vit.
Kurse në komunën e Istogut, do të vazhdojë realizimi i projektit “Ndërtimi i Palestrës Sportive” dhe do të implementohet projekti tjetër në Vrellë të Istogut “Ndërtimi i Sallës së Edukatës Fizike ‘Hysni Zajmi’”. Këto dy projekte u mundësuan me memorandumet që nënshkruan ministrja Dumoshi dhe kryetari i kësaj komune, Haki Rugova.
Ndërsa, me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, ministrja ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për projektin “Stadiumi i qytetit të Lipjanit” i cili do të implementohet në periudhën kohore 2020-2022.
Në takimet e ndara që ka zhvilluar ministrja Dumoshi me kryetarët e komunave në fjalë, ka diskutuar edhe për projektet tjera që ka në plan ministria të investojë në këto komuna dhe në komunat tjera të Kosovës në fushat që i mbulon MKRS-ja.
“Jam e interesuar dhe do të angazhohem që në bazë të kapaciteteve buxhetore që ka MKRS-ja të ndihmojë komunat e Kosovës me projekte konkrete që janë në dobi të qytetarëve që ata të kenë hapësirat e nevojshme për t’i kryer aktivitetet e tyre sportive e rekreative, në mënyrë që të kemi një shoqëri të shëndetshme e që merret me aktivitete fizike”, tha ndër të tjera ministrja.
E kryetarët e komunave, secili veç e veç e kanë falënderuar ministren për punën që po bën në këtë kohë të vështirë pandemie dhe i shprehën mirënjohjen për mbështetjen e MKRS-së ndaj komunave përkatëse përmes projekteve konkrete./GazetaSinjali/