image Ambasadori gjerman del kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë

Kosovë

Ambasadori gjerman del kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë

news image

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i shqetësuar lidhur me fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, raporton Gazeta Sinjali.

Ndryshe nga Ministria e Kulturës që e konsideron si një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, ambasadori gjerman po thotë se “kjo është kultura e kujtesës në mënyrën e gabuar”, i cili ka bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta lidhur me Holokaustin.

Sipas tij, Xhafer Deva ishte bashkëpunëtor i nazistëve.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, ka shkruar Rohde në Twitter.

“Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë. Ambasada Gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, ka shtuar ambasadori gjerman.

Restaurimi i kësaj shtëpie nisi më 2 shkurt të këtij viti dhe ky proces pritet të përfundojë në fund të 2022-ës.

“Gjatë ditës së djeshme filluan punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë. Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin”, njoftoi Ministria e Kulturës. /GazetaSinjali/