image Mjekë të papërgjegjshëm e pacientë që sulmojnë mjekët - skandalet në shëndetësi gjatë vitit 2019

Kosovë

Shëndetësi/ Mjekë të papërgjegjshëm e pacientë që sulmojnë mjekët – skandalet në shëndetësi gjatë vitit 2019

news image

Viti 2019 e përcolli shëndetësinë në vend me shumë skandale në spitalet private e publike por edhe me shumë ikje të mjekëve jashtë vendit, si pasojë e një sistemi të dështuar shëndetësor që po përcillet vit pas viti.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet pas luftës, shëndetësia kosovare nuk po arrin të këndellet.

Çdo qeveri e pasluftës ka dështuar që ta menaxhojë këtë sektor për të ofruar shërbim cilësor ndaj qytetarëve, të cilët në mungesë trajtimi të mirëfilltë, shpeshherë detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit.  

Gjendje më e mirë nuk është se u reflektua as gjatë vitit 2019. Përkundrazi, politizimi i skajshëm, skandalet korruptive, referimet e paligjshme të pacientëve me qëllim përfitimi, kushtet jo të mira, mungesa e disiplinës dhe profesionalizmit te një numër i konsiderueshëm i mjekëve, janë vetë disa anomalitë e identifikuara të cilat kanë bërë që ky sektor të mbetet vrimë e zezë.  

Gjatë vitit 2019 sektori privat shëndetësor u karakterizua me skandale si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor, mashtrimit dhe neglizhencës nga ana e mjekëve dhe mungesës së kontrollit dhe ndërmarrjes së masave institucionale.

Gazeta Sinjali ka raportuar për disa raste në Spitalin Amerikan në Prishtinë ku pacientët kanë përjetuar tmerrin si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor. Një prej tyre ishte edhe rasti i pacientit nga Peja S.N. të cilit iu rrezikua jeta pasi mjekët i vendosën stentë në zemër ndonëse kishte pësuar sulm në tru dhe menjëherë pas operacionit e liruan nga Spitali.   

Trajtim hiç më të mirë nuk kishte pasur as N.K, e cila pas operimit nga doktori Sabri Tmava në Spital Amerikan, u detyrua të kërkojë shërim jashtë vendit, për shkak se gjendja e saj u përkeqësua edhe më tepër.

E operacioni I dështuar në lukth, 38-vjecares I kishte kushtuar hiç më pak se 3 mijë euro.

Mirëpo këto nuk ishin rastet e vetme që u trajtuan në këtë mënyrë në Spitalin Amerikan. Të tilla u raportuan me dhjetëra.

Gjendje më e mirë nuk ishte as në sektorin publik të shëndetësisë. Si pasojë  këtij frustrimi të akumuluar prej vitesh dhe pamundësisë për t`i plotësuar nevojat e qytetareve për trajtim të dinjitetshëm mjekësor, janë regjistruar edhe raste të shumta kur pacientët kanë marr ligjin mbi duart e tyre dhe kanë sulmuar personelin mjekësor. Disa prej tyre ushtruan edhe dhunë ndaj mjekëve si përgjigje për trajtimin jo të duhur mjekësor ndaj tyre.

Në gusht të 2019-ës, policia kishte raportuar se një mjek ishte sulmuar në vendin e tij të punës nga pacienti i tij në QKMF-Fushë Kosovë.

Një tjetër mjek ishte sulmuar në Spitalin Rajonal të Ferizajit-Qendra Emergjente, në nëntor të vitit që shkoi.

Vetëm një muaj më pas, të pakënaqur me trajtimin, dy pacientë kishin sulmuar me thikë një mjek në emergjencën e Vushtrrisë.

Këto raste dhe shumë të tjera shpërfaqën gjendjen e tmerrshme në shëndetësi.

Të pakënaqur me kushtet e punës janë edhe vetë mjekët të cilët çdo ditë e më tepër po ikin jashtë vendit për paga më të mira.

Mjekët e infermierët kosovarë ishin ngritur në greva të njëpasnjëshme gjatë vitit që lam pas, në kërkim të pagave e kushteve më të mira të punës.

Kujtojmë se gjatë viti 2018 nga Kosova janë larguar gjithsej 154 mjekë specialistë e duket se kërkesat për ikje janë rritur akoma më shumë gjatë vitit 2019./Gazeta Sinjali/