Pas publikimit të një serie shkrimesh për mashtrimet që familjarët e një pacienti pretendojnë se u janë bërë nga mjekët e Spitalit Amerikan, shumë qytetarë janë lajmëruar në adresën e Gazetës Sinjali për të rrëfyer përvojën e hidhur që kanë kaluar aty.
I tillë është rasti i gruas me inicialet N.K.(emër i njohur për redaksinë), e cila thotë se pas operimit në Spitalin Amerikan u detyrua të kërkojë shërim jashë vendit si pasojë e komplikimit të gjendjes shëndetësore.
38 vjeçarja tregon se problemet shëndetësore i tejkaloi pas rioperimit në një spital privat të njohur në Shkup dhe tani kur është shëruar po paralajmëron padi ndaj Spitalit Amerikan.
Për operacionin që s’pati sukses në Spitalin Amerikan, për problemet me zonën e lukthit që njihen me termin mjekësor ‘hernie hiatale’ N.K., thotë se ka paguar rreth 3 mijë euro.
“Më kanë bind me hy në operacion”, rrëfen pacientja për mjekët e Spitalit Amerikan.
Rasti kishte ndodhur në muajin shkurt të vitit 2018, kur pacientja për shkak të dhimbjeve të mëdha në lukth kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Amerikan. Pas kontrollit, mjekët i kishin thënë se duhet t`i nështrohet një operacioni, në të kundërtën i është thënë se rrezikon të sëmuret nga kanceri.
“Kam shkuar në Spitalin Amerikan edhe mjeku Sabri Tmava ka qenë, thotë që mujna me kry këtë operacion nuk është ku me dit çka. I kam pyet a e keni bërë ndonjëherë këtë operacion kanë thënë po e kemi bërë këtë operacion por e kemi bërë me të çelur, jo me gastroskopi. Edhe kur i kam thënë a duhna mu ngut me bo unë këtë operacion me marrë vendim me ardhë, më ka thënë je t’u kalu në kancer mundësisht ma shpejt me kry operacionin….Shumë shumë më kanë bind për me hy në operacion.” , rrëfehet N.K., për Gazetën Sinjali.
Ajo shton se operimi i saj u paraqit storie e suksesit nga Spitali Amerikan i cili solli një ekip të televizionit dhe e publikoi lajmin se operacioni është kryer me sukses.
“Jam operu më 28 maj të vitit 2018, pas tri katër-ditësh që jam shtri aty…Gjatë operimit ka qenë një television (emër i njohur për redaksinë) edhe e kanë publiku që është kry operacioni me sukses. D.m.th ende pa i bërë 24 orë që kam dalë prej operacioni…Kanë ardhë mjekët pas operacionit, më kanë thanë a je mirë. U kam thënë mirë jam se jam kanë shumë e lodhur, edhe më kanë thanë që jom shumë mirë”, rrëfen ajo.
Pacientja N.K. thekson se gjendja e saj shëndetësore kishte ndryshuar për të keq tri ditë pas operimit pasi që ishte liruar për në shtëpi. Ajo rrëfen se prej momentit të operacionit nuk kishte arritur të hante ose pinte asgjë.
“ E kam thirrë vëllaun, i kam thënë nuk jam tu e ni vetën mirë nuk po më shkon kurgjë teposhtë. Ka thënë shkojna në spital, kur jam shku në spital e kam taku doktor Sabri Tmavën. I kam thënë spo e nij vetën mirë, më tha që është normale…I thash që edhe ujin kur po e pij, po kam probleme edhe kam insistu me bo një kontrollë prap. Edhe kontrollën ma ka bërë një mjek tjetër, ma ka këqyrë fytin me një dritë edhe më ka thënë mirë është. Nuk e kanë pranu faktin që unë nuk po ndihem mirë”, rrëfen ajo.
N.K. shton se mjekët e Spitalit Amerikan i kanë thënë se duhet të pres derisa ta merr vetën pas operacionit përkundër dhimbjeve të tmerrshme dhe fillimit të humbjes së shpejtë në peshë. Ajo thotë se duke parë neglizhencën dhe papërgjegësinë e mjekëve të Spitalit Amerikan, është detyruar të kërkoj mendimin e një mjeku tjetër.
“Shpirti jem e di qysh i kam përjetu ato ditë. Jam shku tani te një mjek tjetër, me ka thënë mjeku që kam humb shumë peshë, jam lodhur shumë dhe më ka kërku më bë një rentgen të lukthit. E kam bërë rentgenin diku në privat, e bëjë rentgenin dhe ia dërgoj Spitalit Amerikan i them qe qysh është problemi im a jeni tu e besu tash, se ai mjeku që ma bëri më tha që jam shumë keq, tha nuk është kry operacioni mirë, më tha më vjen keq se je shumë e re.” rrëfen N.K.
“Pasi jua dërgova rentgenin, në Spitali Amerikan më thanë të hyjë sërish në operacion”…
Pacientja N.K. shton se përkundër gjetjeve në bazë të rentgenit, Spitali Amerikan prapë ia ka bërë incizimin me kamerë dhe i kishte thënë se gjendja e saj është shumë mirë. –
“Më kanë thënë nese do me hy në operacion e bëjmë me të hapur operacionin. Nuk kam pranu se jam frikësu shumë, s`kam desht me bo me të hapur dhe jam shku në Shkup. Atje më kanë kontrollu më kanë bërë rentgenin më thane prap urgjent duhet me hy me rioperu n`qat vend…E kam bo prap atje operacionin, edhe aty jam nda e kënaqur”, rrëfen 38 vjeçarja.
Për operacionin që sipas N.K. ka dështuar, ajo është dashur të paguajë rreth 3 mijë euro në Spitalin Amerikan. Tani po paralajmëron padi ndaj këtij spitali.
Për këtë rast Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Spitalit Amerikan, në një përgjigje elektronike ata thanë se ‘në respektim të privatësisë së pacientit ne si institucion nuk mund të bëjmë mediatike asnjë lloj informacioni lidhur me këtë çështje’.
“Dëshirojmë sërisht t’ju vëmë në dijeni se çdo ankesë e pacientëve e ardhur pranë institucionit tonë merret dhe trajtohet me të gjithë kujdesin e nevojshëm. Për çdo trajtim mjeksor ne disponojmë kartelat e plota mjeksore dhe jemi të gatshëm ti paraqesim pranë organeve kompetente në rast se ato kërkohe”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre./Gazeta Sinjali/