Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast që dyshohet të ketë ndodhur 15 vite më parë, u bë shkas që një 65-vjeçar në Mitrovicë të kërcënojë një zyrtar policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije i dyshuari ka takuar policin, të cilit i është drejtuar me kërcënime se do ta shohë kush është ai. Motiv për këtë, 65-vjeçari dyshohet ta ketë rrahjen e djalit të tij nga zyrtari policor 15 vite më parë.
Si rezultat i denoncimit, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
65-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.