image Misioni i BE-së për zgjedhjet ka vërejtje për shkarkimin e Valdete Dakës

Politikë

Misioni i BE-së për zgjedhjet ka vërejtje për shkarkimin e Valdete Dakës

news image

Në raportin e publikuar të Misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë, ndër të tjera është përmendur edhe shkarkimi i Valdete Dakës nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas raportit, vendimi i presidentit të Kosovës për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së më 14 qershor, katër vjet përpara përfundimit të mandatit të dytë dhe një ditë para caktimit të datës së zgjedhjeve nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit, e as nga bazat e shënuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Një administrim gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional i zgjedhjeve siguroi që përgatitjet të bëhen brenda afateve ligjore edhe pse komunikimi nga niveli qendror në atë komunal nuk ishte gjithmonë në kohën e duhur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga një kryesues dhe dhjetë anëtarë. LZP përmban garanci për pavarësinë dhe transparencën në funksionimin e KQZ-së, siç është mandati shtatëvjeçar i kryesuesit, me një mundësi vazhdimi, i cili nuk përkon me ndonjë cikël elektoral, dhe dispozita që sigurojnë që komisionarët të mos mund të shkarkohen për ndonjë lëshim të vogël. Kjo zvogëlon mundësinë për ndërhyrje politike. Sidoqoftë, dispozita e paqartë ligjore e cila lejon shkarkimin e kryesuesit ose një anëtari nëse ata sillen ose veprojnë “në mënyrë që ndikon seriozisht në statusin dhe integritetin e KQZ-së”, lë hapësirë për keqpërdorimin e saj”, thuhet në raport.

Raporti përmend edhe shqetësimin e partive opozitare dhe shoqërisë civile se vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës ka qenë i motivuar politikisht./Gazeta Sinjali/