Pas largimit të një vajze 8-vjeçare me autizëm nga shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Nagavci ka thënë se e ka pranuar me shqetësim këtë lajm dhe se arsimi është e drejtë e garantuar me kushtetutë.
Po ashtu, Nagavci tha se çdo veprim që bie në kundërshtim me politikat gjithëpërfshirëse nuk do të tolerohet.
Postimi i plotë:
Me shqetësim mora informatën për rastin e nxënëses 8 vjeçare, me aftësi të kufizuara , të cilës ju pamundësua vijimi i mësimit në një shkollë të Komunës së Prishtinës.
Arsimi i të gjithë fëmijëve është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, bazuar në instrumentet ndërkombëtare. Çfarëdo veprimi i cili bie në kundërshtim me politikat tona gjithëpërfshirëse, është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet.
Kam autorizuar kolegët përkatës në MASHTI për të analizuar në aspektin profesional rastin, konform situatës dhe gjetjeve do të ndërmarrim të gjitha masat, ashtu që rasti në fjalë të zgjidhet bazuar në interesin me të mirë të fëmijës.
MASHTI në kuadër të sigurimit të mekanizmit të mbështetjes se shkollës dhe fëmijeve me aftësi të kufizuara ka ndarë mjetet dhe buxhetin për punësimin e asistenteve, Komuna e Prishtinës e ka pasur të lejuar punësimin e 12 asistentëve dhe detyra e tyre ka qenë pikërisht mbështetja e nxënësve me aftësi të kufizuara që kanë vështirësi në adoptim dhe mësimnxënie.
Fatkeqësisht, Komuna e Prishtinës nuk i ka punësuar këta asistentë. Ne, edhe këtë vit tashmë kemi ndarë mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve dhe Komuna e Prishtinës është një prej komunave që ka pranuar të gjitha informatat për të shpallur konkursin për punësimin e 15 asistentëve, këtë vit.
I bëj thirrje Komunës së Prishtinës dhe komunave tjera të cilave u kemi alokuar mjetet, që të shpallin konkurset dhe të punësojnë asistentet, të cilët duhet t’i angazhojnë në shkolla, për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje.
Arsimi i çdo fëmije është e drejtë e garantuar dhe realizimi i kësaj të drejte është obligim i të gjithë akterëve dhe shoqërisë sepse vetem duke kontribuar dhe kryer punën secili nivel, ne do të arrijmë të përmbushim ketë mision. Si ministri nuk do të ndalemi në punën tonë për ofrimin e mundësive për të gjithë. /GazetaSinjali/