image Ministrja Hajdari: Nuk jam t’u u marrë me Contourin tani

Kosovë

Ministrja Hajdari: Nuk jam t’u u marrë me Contourin tani

news image

Pas njoftimit të kompanisë amerikane Contour Global për tërheqjen nga ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, Gazeta Sinjali ka provuar të marrë një koment nga ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por e njëjta ka thënë se nuk po merret me këtë çështje tani për tani.

E pyetur se si e komenton tërheqjen e kompanisë amerikane nga ndërtimi i këtij projekti, ministrja tha se ndodhet në takim dhe pasi të shkojë në zyrë do të shikojë rreth kësaj çështje.

“Nuk jam tu u marrë me Contourin tani për tani…Jam në takim, menjëherë si të kthehem në zyrë  e shikoj, tani e pash…”, tha shkurt ministrja për Gazetën Sinjali.

Ndryshe në njoftimin e dhënë për tërheqjen e tyre nga ky investim, kompania ka përmendur ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë. Konkretisht Qeverinë aktuale në krye me Albin Kurtin, që dikur kundërshtonin projektin në fjalë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

Tërheqjen e Contour Global deri më tani nuk e ka komentuar as kryeministri Albin Kurti.

Ditë më parë Gazeta Sinjali kishte raportuar se Departamenti i Shtetit në SHBA konsideronte se në rast të mosndërtimit të këtij termocentrali, Kosova mund të preket direkt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi me energji nga Rusia.

Gazeta Sinjali kishte siguruar një kërkesë të ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, e cila më 10 mars ka propozuar që në rend të ditës të mbledhjes së qeverisë të futet shfuqizimi i vendimit të Qeverisë Thaçi për rikonfigurimin e përbërjes së Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike “Energjia dhe Linjiti”, i cili është përgjegjës për projektin e termocentralit “Kosova e Re”. Gjithashtu është propozuar rithemelimi i këtij komiteti me përbërje të re. /Gazeta Sinjali/