image Qeveria Kurti detyrohet ta zbatojë interesin e SHBA-së, propozohet shfuqizimi i një vendimi të Qeverisë Thaçi

Kosovë

"Kosova e Re"/ Qeveria Kurti detyrohet ta zbatojë interesin e SHBA-së, propozohet shfuqizimi i një vendimi të Qeverisë Thaçi

news image

Pavarësisht se një pjesë e qeverisë së Kosovës nuk po i merr në konsideratë kërkesat e SHBA-së për heqjen e tërësishme dhe të menjëhershme të taksës ndaj Serbisë, partnerët e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë ‘të detyruar’ të pajtohen ta zbatojnë një plan që lidhet direkt me interesin amerikan, raporton Gazeta Sinjali.

Projekti 1.3 miliard eurosh për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” i cili ka shumë vite që ka nisur, sipas përfaqësuesit Special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer është interes politik i SHBA-së për parandalimin e ndikimit rus në Ballkan.

Palmer, në një dëgjim në Nën-komitetin për Evropë dhe Bashkëpunim të Sigurisë Rajonale të Senatit Amerikan në tetor të vitit të kaluar, është shprehur se termocentrali “Kosova e Re” është investim strategjik amerikan i cili ndalon shtrirjen e ndikimit rus në Kosovë. “Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të marrë në konsideratë alternativa që përfshijnë energjinë me burim nga Rusia”, kishte tërhequr vëmendjen Palmer.

Ai theksonte se “mbështetja e këtij projekti është tërësisht në interesin e Shteteve të Bashkuara”.

Departamenti i Shtetit në SHBA konsideron se në rast të mosndërtimit të këtij termocentrali, Kosova mund të preket direkt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi me energji nga Rusia. Ky qëndrim i SHBA-së do ta detyrojë qeverinë e Kosovës që ta zbatojë në përpikmëri planin për ndërtimin e TC “Kosova e Re”.

Qeveria, përkatësisht Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike është vënë në lëvizje për ta zbatuar këtë plan, fillimisht me një propozim për ta zëvendësuar një vendim të qeverisë së Hashim Thaçit më 2011 lidhur me këtë çështje.

Gazeta Sinjali ka siguruar një kërkesë të ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, e cila më 10 mars ka propozuar që në rend të ditës të mbledhjes së qeverisë të futet shfuqizimi i vendimit të Qeverisë Thaçi për rikonfigurimin e përbërjes së Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike “Energjia dhe Linjiti”, i cili është përgjegjës për projektin e termocentralit “Kosova e Re”. Gjithashtu është propozuar rithemelimi i këtij komiteti me përbërje të re.

Vendimi i Qeverisë së Thaçit më 1 qershor të vitit 2011 udhëzon që Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike “Energjia dhe Linjiti” të përbëhet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik (kryesues); ministri i Financave (anëtar); ministri i Miedisit dhe Planifikimit Haptisinor (anëtar); ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (anëtar); ministri i Tregtisë dhe Industrisë (anëtar); kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (anëtar); kryesuesi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (anëtar) dhe një përfaqësues i emëruar nga Zyra e Kryeminisnit (anëtar).

E sipas propozimit të ministres Hajdari, Komiteti Drejtues i Projektit të Asistences Teknike “Energjia nga Linjiti” do të kryesohej nga ajo si drejtuese e këtij komiteti. Anëtarë të këtij komiteti është paraparë të jenë Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve; Lumir Abdixhiku, ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit; Ivan Milojeviq, ministër i Zhvillimit Rajonal dhe Emilija Rexhepi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Përveç tyre, anëtarë vëzhgues të Komitetit Drejtues është propozuar të jenë nje përfaqësues i Zyrës së Rregullatorit për Energji; një përfaqësues i Korporatës Energjetike të Kosovës dhe një përfaqësues i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Propozim-vendimi të cilin ministrja ia ka dërguar Zyrës së Kryeministrit thotë se Komiteti Drejtues do të marrë vendime në emër të qeverisë së Kosovës për çështje që kanë të bëjnë me projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Propozimi i ministres Rozeta Hajdari

LVV në opozitë ishte kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”

Partia e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, e ka kundërshtuar në vazhdimësi projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” sa ishte në opozitë.

Para dy vitesh, Albin Kurti si deputet në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar se kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë amerikane “Contour Global” e vë interesin shtetëror të Kosovës në shërbim të një ndërmarrje të huaj private.

Gjithashtu, një nga 3 njerëzit më të pushtetshëm në Qeverinë Kurti, zëvendëskryeministri Haki Abazi e kishte quajtur “kancer të qytetarëve” projektin për termocentralin.

Kundërshtimin e ndërtimit të këtij termocentrali LVV e kishte nisur qysh moti. Madje, në vitin 2016 ishin angazhuar edhe fizikisht për këtë çështje. Aktivistë të kësaj partie kishin zbrazur një kamion me thëngjill para objektit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në shkurt të vitit 2016 për të treguar se  Kosova ka kapacitete dhe potencial që ta zgjidhë vetë krizën e saj energjetike.

Termocentrali “Kosova e Re”, parashihet të fillojë të ndërtohet këtë vit dhe të vihet në funksion në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij është llogaritur të jetë 40 vjet. /Gazeta sinjali/