Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar sot në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare, për raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MTI-së për vitin 2020.
Hajdari ka ngritur disa çështje për, siç tha ajo, keqpërdorime me paranë publike, parregullsi dhe mangësi nga paraardhësit e saj në këtë ministri.
Shqetësuese, sipas ministres Hajdari, mbetet projekti për ndërtimin e parkut industrial në Lumadh.
Në mbledhjen e këtij komisioni munguan deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Madje, në këtë mbledhje nuk mori pjesë as kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, që vjen nga LDK.
Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, e bojkotoi mbledhjen, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të tjerë nga opozita.
Në komisionin e kryesuar nga zëvëndëskryetarja, Arta Bajralija nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajdari tha se parku industrial në Lumadh, nuk është parku i vetëm që ka pasur parregullsi dhe mangësi, duke shtuar se ka shumë parregullsi për shumë parqe, për punësim me kontrata mbi vepër dhe çështje të tjera nga ish-MTI, tani MINT.
Ministrja tha se do të iniciojnë rishikimin e të gjitha zonave ekonomike.
Sipas saj, fatin e këtij rishikimi do ta ketë edhe Zona ekonomike në Drenas.
Hajdari tha se do të marrin të gjitha masat për evitimin e të gjitha mangësive, sa u përket të gjeturave nga auditori.
“Gjetjet për parkun industrial në Lumadh vërtet janë brengosëse, për tejkalimin e shpenzimeve. Ky projekt milionësh është vërtet për të na shqetësuar, sa u përket keqpërdorimeve të parasë publike, duke devijuar projektin dhe rrit koston e ndërtimit në këtë mënyrë”, theksoi Hajdari./Gazeta Sinjali/