U.D. ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku gjatë vizitës së saj tek ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, foli për mundësinë e lehtësimit të masave anti-COVID.
E pyetur nëse do të hiqet ora policore, ose do të lehtësohet ndonjëra nga masat që janë në fuqi, ajo tha se janë duke e shqyrtuar mundësinë për ndryshim në masa.
Ministrja bëri të ditur se të gjitha mostrat të cilat janë dërguar për analizë jashtë vendit, kanë rezultuar me 100 për qind dominim të variantit Delta.
Ajo tha se do të informojnë për secilën masë të re, teksa theksoi se kjo bëhet si çdo herë pas diskutimit me ekspertë shëndetësor.
“Sigurisht masat janë duke u shqyrtuar, do të informoheni, do të propozojmë të gjitha masat në Qeverinë e Kosovës, pas diskutimit me ekspertët shëndetësor”, tha Gexha-Bunjaku.
Gexha-Bunjaku tha se edhe gjatë fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve do të mbesin të njëjta sa i përket grumbullimit të qytetarëve./GazetaSinjali/