Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, e ka quajtur skandal diplomatik, vendosjen e librit me titull “Kosova i Metohija’, në zyrën e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Në takimin e sotëm mes Oliver Varhelyi dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është parë edhe libri i një autori serb.
“Është përtej skandalit diplomatik dhe më shumë se provokim dhe anim – takimi i Komisionerit për Zgjerim të BE-së z.Olivér Várhelyi me Vuçiqin, me ekspozim të qëllimshëm të librave shovinistë, me emra që janë derivat i projeksioneve për spastrim etnik dhe pretendime territoriale ndaj shteteve tashmë të pavarura dhe sovrane”, shkroi Haradinaj.
Ajo më tutje tha se çdo përfaqësues diplomatik duhet ta dijë se Kosova është e pacenueshme.
“Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këtë duhet t’a ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme. Kosova e 17 Shkurtit nuk preket”, shtoi Haradinaj./ Gazeta Sinjali/