Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për dy vjet ka shpenzuar hiç më pak se 29 mijë e 85 litra karburante për veturat e kësaj ministrie, vlera e të cilave arrin shifrën e afro 29 mijë e 112 euro.
Gjatë periudhës kohore, shtator deri në dhjetor të vitit 2017, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shpenzuar mbi 3 mijë e 300 litra derivate, vlera e të cilave është rreth 3,428 euro. Kjo ministri gjatë kësaj periudhe kishte në shfrytëzim katër vetura, bëhet e ditur në të dhënat e dërguara pas kërkesës së Gazetës Sinjali për qasje në dokumente zyrtare.
Në vitin 2018 ka pasur më së shumti harxhime të karburanteve nga MTI-ja, plotë 14,806 litra derivate të shpenzuara për nevojat e zyrtarëve të kësaj ministrie, ku vlera e tyre arrin 14,724 euro. Gjatë këtij viti MTI-ja ka pasur në shfrytëzim nëntë vetura, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë vitit 2018, muaji në të cilin është shpenzuar më së shumti derivate është tetori me afro 1,688 litra ndërsa më së paku derivate është shpenzuar gjatë muajit shkurt, vetëm 347 litra.
Në periudhën (janar- gusht) 2019 shpenzimet për karburant janë 10,961 litra me vlerë prej rreth 11 mijë eurosh.
Muaji në të cilin është shpenzuar më së shumti derivate gjatë këtij viti është prilli, gjithsej 1,531 litra ndërsa më së paku janë shpenzuar në muajin janar, 891 litra.
Në këtë vit MTI-ja nuk ka shtuar numrin e veturave, në shfrytëzim ka pasur nëntë vetura. /Gazeta Sinjali/