Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë testuar gjithsej 494 mostra të dyshuara për koronavirus, të marra nga ShSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilave 213 raste kanë rezultuar pozitive.
Ani pse numri i testimeve është rritur krahasuar me muajt e parë të pandemisë, qytetarët po ankohen se janë duke u përdorur standarde të dyfishta për testim.
Gazeta Sinjali ka publikuar sot një rrëfim të një vajze nga Vushtrria e cila i ka pasur të gjitha simptomat për koronavirus, por nuk është testuar. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës asaj i kanë thënë se nuk kanë kapacitete për testimin e personave të cilët mund ta kalojnë virusin në shtëpi.
Ministria e Shëndetësisë për Gazetën Sinjali ka treguar se cilët janë personat të cilët rekomandohet të testohen për COVID-19.
“Rekomandimet për testim:
1. Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe repartet e dedikuara për pacientë me COVID-19;
2. Pacientët në repartet e Pulmologjisë dhe Kujdesit Parësor Shëndetësor me infeksione të rënda respiratore;
3. Personeli shëndetësor me shenja dhe simptoma të infeksionit si dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS CoV-2;
4. Kontaktet e afërta të personit COVID-19 pozitiv, të cilët kanë shenja dhe simptoma të COVID-19;
5. Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlçisë, hipertension, diabet dhe gjendje imunokompromituese) të cilët kanë shenja të infeksionit akut respirator;
6. Të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje);
7. Shtetasit e Kosovës të cilët udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor duhet të kenë dokumentacionin mjekësor valid përcjellës nëse kërkohet testimi nga shteti në të cilin udhëtojnë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga kjo ministri kanë thënë se nuk rekomandohet testimi i personave asimptomatikë (që nuk kanë simptoma), por ata udhëzohen të futen në vetizolim për 14 ditë, si dhe për monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë.
Madje, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar që mjekët e Qendrave të Mjekësisë Familjare të diagnostikojnë COVID-19 pa testim.
“Nëse dikush ka simptoma të COVID-19, mjekët familjarë duhet të diagnostikojnë COVID-19 pa testim (kjo quhet diagnozë klinike e mundshme apo e dyshimtë) dhe t’i thonë atij individi që të vetizolohet për 14 ditë, në të njëjtën mënyrë siç do të ishte izoluar po të kishte dalë pozitiv pas testimit laboratorik”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ministria ka njoftuar se të gjitha këto raste me diagnozë COVID-19 duhet të raportohen si raste të supozuara pozitive.
Këto diagnoza klinike të koronavirusit, mjekët rekomandohen t’i japin në bazë të Udhëzuesit dhe Procedurave Standarde të Operimit (PSO) dhe rastet e tilla t’i raportojnë pa test laboratorik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Ministria në fjalë thotë se këto procedura janë në përputhje me praktikat në SHBA dhe në botë. /Gazeta Sinjali/