Rreth 900 banorë të disa fshatrave të Komunës së Deçanit, dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes, për çka edhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë qytet, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka thirrur konferencë për media sot në orën 19:00.
Sipas ministrisë, tema e konferencës do të jetë “Informimi për çështjen e rasteve të dyshimit të helmimit në ujë për qytetarët e Komunës së Deçanit”.
Në konferencë do të flasë edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
Konferencë për media për këtë rast sot ka mbajtur edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka ftuar organet e drejtësisë që të merren me zbardhjen e këtij rasti.
Ramosaj ka thënë se rezultatet kanë treguar se kimikisht nuk ka probleme nga uji, por që po i presin edhe analizat biologjike.
“Ne kemi marrë vendim që uji të mos përdoret. Kemi ftuar prokurorinë, hetuesit, policinë e shtetit, IKSHPK-në, kompaninë ‘Hidrodrini’, të cilët janë duke e kryet punën që të kemi një ekspertizë të saktë”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/