Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar arsyen e mospranimit të Jehona Krasniqit në punë, në konkursin e shpallur nga kjo ministri, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas kësaj ministri, konkursi ka paraparë që të rekrutohen profesionistë shëndetësorë të cilët përveç shkollimit të përfunduar në Mjekësi dhe licencë pune, përparësi t’u jepet kandidatëve me gradën më të lartë.
Ndërsa, puna vullnetare, si në rastin e Krasniqit, kjo ministri thotë se është paraparë si përparësi nëse grada dhe koha e licencimit mes kandidatëve është e njëjtë.
“Sipas kritereve të konkursit, përveç shkollimit të përfunduar në mjekësi dhe licencës së punës, përparësi për kandidatët pjesëmarrës ka qenë grada me e lartë, koha më e gjatë e licencimit dhe në kushte të barabarta, kur shembull në të njëjtën datë janë licencuar dy kandidatë, përparësi t’i jepet kandidatit që ka punuar si vullnetarë në kohën e pandemisë Covid-19. Pra, në kushte të barabarta të plotësimit të kritereve, kandidatët që kanë shërbyer vullnetarisht gjatë kohës së pandemisë kanë pasur përparësi”, thuhet në sqarimin e ministrisë.
Sqarimi i Ministrisë së Shëndetësisë erdhi pasi Jehona Krasniqi u ankua për mospranim e saj në punë në këtë konkurs, anipse ajo kishte punuar 4 muaj vullnetare./Gazeta Sinjali/
Sqarim lidhur me konkursin për rekrutimin e profesionistëve shëndetësorë
Ndërlidhur me ankesën e dr. Jehona Krasniqi, për mos pranimin e saj në punë në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë me nr. reference MSh-12/06/2020 ku kanë qenë të parapara 100 pozita për mjekë, Komisioni për rekrutimin e kandidatëve sqaron si në vijim:
Me konkursin e datës 12 qershor 2020 të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, në mesin e 200 pozitave për profesionistëve të shëndetësor në funksion të monitorimit të situatës rreth Covid-19 janë paraparë edhe 100 pozita për mjekë.
Sipas kritereve të konkursit, përveç shkollimit të përfunduar në mjekësi dhe licencës së punës, përparësi për kandidatët pjesëmarrës ka qenë grada me e lartë, koha më e gjatë e licencimit dhe në kushte të barabarta, kur shembull në të njëjtën datë janë licencuar dy kandidatë, përparësi t’i jepet kandidatit që ka punuar si vullnetarë në kohën e pandemisë Covid-19.
Pra, në kushte të barabarta të plotësimit të kritereve, kandidatët që kanë shërbyer vullnetarisht gjatë kohës së pandemisë kanë pasur përparësi
Përzgjedhja e kandidatëve është bërë në atë mënyrë që së pari janë përfshirë specialistët e fushave të mjekësisë dhe mandej, sipas radhës, duke u renditur sipas kohës më të gjatë nga data e licencimit.
Dr. Jehona Krasniqi, bazuar në dosjen e saj të aplikimit, është licencuar me datë 25.09.2019.
Ministria e Shëndetësisë shpreh falënderimin më të veçantë për të gjithë ata që gjatë kohës së pandemisë Covid-19 e kanë vënë dijen dhe profesionalizimin e tyre në funksion të shërbimit të qytetarëve, kontribut ky që është legjitimuar edhe në këtë konkurs duke ju dhënë avantazh vullnetarëve në kushte të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe, do t’i trajtoj me seriozitetin më të madh të gjitha ankesat që do të paraqiten nga cilido pjesëmarrës në konkurs, në Komisionin e ankesave të Ministrisë së Shëndetësisë.