Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Serbinë për t’i nxjerrë përpara drejtësisë ata që vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë natën e 15 janarit të vitit 1999.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli, deklaroi se pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë është i mundur vetëm kur të vendoset drejtësia për krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së fundit.
“Ne sot përkujtojmë 45 viktimat e masakrës së Reçakut të kryer nga Serbia. Ne sot kujtojmë dhe nderojmë civilët e pafajshëm. Ne sot po ashtu bëjmë thirrje për drejtësi, ngase edhe sot, ata që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit, ecin të lirë dhe nën kujdesin e presidentit të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka deklaruar Pacolli.
Masakra e Reçakut, e cila u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe, është një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit. Mohimi i saj së fundmi edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka tensionuar situatën midis dy vendeve dhe ka lënduar familjet e viktimave.
Vrasja masive e 45 civilëve shqiptarë, që ndodhi në fshatin Reçak, në qendër të Kosovës, më 15 janar 1999, u dëshmua nga ish ambasadori i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Wiliam Walker.
Denoncimet e vazhdueshme të diplomatit amerikan Walker se popullsia civile në Kosovë po vritej nga forcat serbe, i hapën rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi dhe njëherësh lirisë së Kosovës. /Gazeta Sinjali/