Në moshën 45-vjeçare sot ka ndërruar jetë nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Baki Ejupi.
Lajmi fillimisht ishte konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ibrahim Shala, për Gazetën Sinjali, i cili tha se nënoficeri ka vdekur në vendin e punë.
Në anën tjetër Ministria e Mbrojtjes, përmes një komunikate për media ka thënë se Ejupi ka pësuar një atak kardiak në vendin e tij të punës.
Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes me anë të një komunikate.
“Ministria e Mbrojtjes njofton se sot në vendin e tij të punës, pas një ataku kardiak, ka ndërruar jetë nënoficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Kapter Baki Ejupi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Baki Ejupi, kishte lindur më 08.05.1974 në fshatin Sekiraqë – Komuna e Podujevës. Ai kishte shërbyer në Brigadën e Reagimit të Shpejtë të Batalionit të Tretë në Mitrovicë, që nga themelimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Baki Ejupi qysh herët iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, Brigada 152, ndërsa me krijimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ka shërbyer në Zonën e Pestë të TMK-së.
Kapter Baki Ejupi, pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Për homazhet dhe ceremoninë e varrimit të ndjerit do të njoftoheni me kohë./Gazeta Sinjali/