Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkursin për pozitën e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Ky konkurs është hapur disa ditë pas anulimit të konkursit të kaluar për Drejtor artistik të këtij teatri. Anulimi ishte bërë për shkak të emërtimit, pasi sipas ligjit për teatrot dhe statuti i TKK-së nuk e njohin emërtimin ‘Drejtor Artistik’, por ‘Udhëheqës Artistik’.
Por siç duket MKRS sërish ka lëshuar të njëjtin gabim, pasi në pjesën e dytë të njoftimit për konkursin, në vend të emërtimit ‘Udhëheqës Artistik’ figuron emërtimi ‘Drejtor Artistik’.
“Mandati Drejtorit Artistik është katër vjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat. Drejtori Artistik i TKK-së, zgjidhet me konkurs publik, të cilin e shpallë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim.
Data e aplikimit të kandidatëve sipas njoftimit do të jetë nga 5 deri më 19 prill 2021.