Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka njoftuar se kompanive të transportit rrugor, do të iu bëhen kompensimet e humbjeve që kanë pasur këto kompani në kohë të pandemisë së koronavirusit, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo është bërë e ditur përmes një konference të përbashkët me Shoqatën e Transportit Rrugor.
“Ne kemi hartuar një kornizë e cila parasheh një formë të kompensimit për kompanitë të cilat merren me transportin e udhëtarëve. Kjo parasheh që këto kompani të subvencionohen në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike në kuadër të atyre kilometrave që ato kompani bëjnë”, tha Abrashi.
Ndërsa, Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor ka treguar se kompensimi do të bëhet në bazë të kilometrave të kaluara.
“Është e domosdoshme që këto kompani të subvencionohen në mënyrë që të mbijetojnë në këtë kohë pandemie”, ka thënë Kurtishaj.