Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dje kishte njoftuar se të gjitha shkollat do të fillojnë mësimin më 1 shtator, duke u bërë thirrje prindërve të dërgojnë fëmijët në shkollë. Por, sot për shkak të grevës nga BSPK shumica e shkollave në vend nuk kanë zhvilluar mësim.
MASHTI-i sot përmes një reagimi ka thënë se situata e mosmbajtjes së mësimit dallon nga shkolla në shkollë por duke pranuar se shumica prej tyre nuk kanë zhvilluar mësim.
Kjo ministri ka thënë se është informuar edhe për presione politike nëpër shkolla.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se përkundër se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, nga informatat jo të plota, kryesisht komunikim i zyrtarëve të MASHTI me zyrtarë komunal jemi informuar që shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë mbajtur mësim për shkak të grevës së shpallur nga BSPK. Sipas të dhënave të Ministrisë, situata dallon nga shkolla në shkollë, ku në disa ka nisur procesi mësimor e në disa të tjera mësimi është mbajtur pjesërisht. Po ashtu, si Ministri e Arsimit jemi të informuar për presione të shumta politike tek shkollat”, thuhet në reagim.
MASHTI-i u ka bërë thirrje komunave që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla.