image Escobar për “non-grata” të Berishës: Shkak i korrupsionit

Shqipëri

Escobar për “non-grata” të Berishës: Shkak i korrupsionit

news image

Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për shpalljen “non-grata”  të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Escobar tha se ky ishte një vendim institucional dhe jo individual e as politik.

Ai tha se deri te vendimi për shpallje “non-grata” të Berishës erdhi për shkak të korrupsionit që ShBA-ja gjeti.

“Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, ka thënë Escobar.

Më tej, ai foli edhe për marrëdhëniet mes ShBA-së e Shqipërisë, duke shtuar se shteti shqiptar është bërë një partner shumë i besueshëm për Amerikën.

“Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona”, tha Escobar në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Kujtojmë se në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare. Në takimin mes dy qeverive po marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare.

/GazetaSinjali/