Tre ditë më parë në prangat e Policisë së Kosovës ra një punonjës nga stafi mbështetës i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të dyshimit se po u merrte para qytetarëve në mënyrë që ata të testohen pa rend për COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se personi në fjalë është miku i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, Betim Selimi, i cili ishte punësuar në IKSHPK si personel mbështetës në punë administrative, i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore, pa përfshirjen e Qeverisë së Kosovës.
Por, përkundër lidhjes familjare, Gazeta Sinjali mëson se ministri Zemaj jo vetëm që nuk ndikoi në “fshehjen” e këtij skandali në IKSHPK, por nxiti dhe kontribuoi thelbësisht në denoncimin dhe arrestimin e Selimit.
Q.B. (emëri i njohur për redaksinë) personi që bëri denoncimin në media ndaj punonjësit të IKSHPK-së, Betim Selimit, fillimisht kishte kontaktuar me ministrin Zemaj për këtë rast, i cili, siç merr vesh Gazeta Sinjali, e kishte inkurajuar që menjëherë ta raportojë rastin në polici.
Gazeta Sinjali ka arritur që ta sigurojë bisedën e ministrit Zemaj me Q.B., i cili i ka shprehur falënderim dhe mirënjohje ministrit, për mbështetjen që e mori në këtë rast.
“Unë jam shumë mirënjohës ndaj teje. Ministër, je ministër i shpirtit tem. Kërkoj falje që nuk erdha në takim, por nuk desha të ndalë hulumtimin e mediave dhe që ta merr atë që e meriton ai person që e keqpërdor detyrën dhe emrin e institucionit. Ti për mua je ministër i sinqertë dhe i cili ia vlen vërtet me qenë ministër. Sot e tutje, besoj në ministrin e Shëndetësisë dhe kam shpresë të jetoj në Kosovë. Faleminderit që je ministër që e mbron dhe lufton për popullin. Faleminderit që më dhe një besim dhe më premtove që ai mjek nuk do të jetë më në një institucion shëndetësor. Të falënderoj nga zemra dhe përulem për punën që e bën”, i thotë qytetari ministrit Zemaj në këtë bisedë.
Q.B., në një bisedë për Gazetën Sinjali tha se i ka shkruar ministrit Zemaj në Facebook për këtë rast dhe as që e ka pritur që do të marrë përgjigje nga ai, por thotë që është befasuar për të mirë, kur Zemaj ia ka kërkuar numrin dhe e ka telefonuar atë.
Qytetari në fjalë thotë se Zemaj e ka inkurajuar dhe e ka mbështetur që ai këtë denoncim ta bëjë menjëherë në polici.
“Unë të them të drejtën, as nuk e kam prit që ka me më kthy përgjigje. Ministri më ka mbështet, ka aranzhu takim për orën 08:00 të mëngjesit, por unë nuk kam shku për shkak se nuk kam dasht me e dëmtu hulumtimin e mediave. Ministri më ka telefonu, më ka thënë se jam duke të pritë në takim. Ai më ka inkuraju me e denoncu rastin në polici dhe më ka ofru mbrojtje. Ministri më ka thënë se në qoftëse është i vërtetë ky dyshim, ai do të kërkojë largimin e personit brenda gjysmë ore nga puna dhe do të mbështet punën e organeve të drejtësisë, pa ndërhyrje”, tha ai.
Se Betim Selimi është miku i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe vetë Zemaj.
Zemaj tha se e ka inkurajuar Q.B., që dyshimin e tij për Selimin ta paraqes në polici.
“Meqenëse, rasti dhe personi që ju i referoheni është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë, unë detyrohem të jem fare i shkurtër në përgjigjen time, në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj ndikimi negativ në hetimin që është në vazhdim. Megjithatë, mund të ju konfirmoj se Betim Selimi, është miku im, mirëpo përkundër kësaj, sapo jam vënë në dijeni për dyshimin e paraqitur, unë kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të inkurajuar denoncuesin (Q. B.) që rastin ta paraqes menjëherë te organet e drejtësisë dhe tashmë kjo çështje është në duart e tyre”, tha Zemaj.
I pari i Shëndetësisë edhe më tutje tha se inkurajon qytetarët që të denoncojnë për çdo dyshim që kanë ndaj çdo zyrtari që keqpërdorë punën e tij, pavarësisht se kush mund të jetë ai.
“Si gjithmonë, edhe në këtë rast, unë inkurajoj secilin qytetar që të denoncojë pa hezitim çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës, pavarësisht se kush është subjekti, sepse vetëm në këtë mënyrë ne përmbushim obligimin tonë ligjor dhe qytetar, si dhe krijojmë ambient të sigurtë për të jetuar dhe punuar. Për dijeni të secilit, unë jam vetë ai që i kam kontribuar thelbësisht denoncimit dhe arrestimi të personit në fjalë dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë që këtë çështje ta trajtojnë në mënyrë të drejtë dhe objektive, sa më parë”, tha Zemaj.
Ndërkaq, Sevdali Fejzullahu, avokati i Betim Selimit, tha për Gazetën Sinjali se rasti i klientit të tij ngjason më shumë si “stimulim i veprës penale të korrupsionit”.
Por, edhe mbrojtësi i Selimit thotë se Zemaj nuk ka “gisht” në punësimin e klientit të tij dhe se njofton se edhe ai vetë ka qenë i informuar që ministri në detyrë i Shëndetësisë ka inkurajuar denoncimin e Selimit në polici.
“Edhe pse akoma nuk disponojmë të gjitha shkresat e lëndës, ajo çfarë mund të them është se videoja që po qarkullon në media, nuk është e plotë dhe nuk përmban të gjitha fakte e rastit. Është për keqardhje nëse dikush synon të lidh këtë rast me ministrin Zemaj, sepse ai, në asnjë mënyrë, nuk ka qenë i përfshirë në punësimin e tij dhe as që ka qenë i punësuar në ministri. Nga ajo që unë kam mësuar në hetuesi, vetë denoncuesi i rastit kishte kontakuar paraprakisht me ministrin Zemaj dhe ai e kishte inkurajuar ta denoncojë rastin në polici sa më parë. Ne besojmë se ky rast në fund do rezultojë me një vendim në favor të klientit tim”, tha Fejzullahu.
Si u punësua Betim Selimi në IKSHPK dhe a ndikoi Ministria e Shëndetësisë në këtë?
Konkursi për pranimin e 357 punonjësve shëndetësorë dhe staf teknik u hap më 17 gusht të vitit që sapo lamë pas nga Ministria e Shëndetësisë, ndërmjet Projektit të Shëndetësisë Kosovare, me ndihmën e Bankës Botërore. Vlerësimi dhe përzgjedhja e të gjithë aplikantëve u bë nga Banka Botërore, pa përfshirjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Se mund të ketë pasur ndikim në përzgjedhjen e kandidatëve e mohon edhe vetë ministri në detyrë Zemaj.
I pari i Shëndetësisë thotë që as ministria që e udhëheq dhe as ai personalisht si ministër në asnjë formë nuk kanë qenë pjesëmarrës e as nuk kanë pasur ndikim në përzgjedhjen e aplikantëve.
“Konkursi ka qenë i hapur dhe të gjitha procedurat kanë qenë transparente. Si Ministri e Shëndetësisë dhe si Ministër, në asnjë formë dhe në asnjë procedurë nuk kemi qenë pjesëmarrës në përzgjedhje të kandidatëve”, tha Zemaj për Gazetën Sinjali.
Zemaj thotë se nuk ka asnjë pjesë të përgjegjësisë për punësimin e mikut të tij.
“Personi të cilit ju i referoheni është i punësuar nëpërmjet këtij projekti si staf teknik mbështetës dhe është i angazhuar në IKSHPK, i është nënshtruar rregullave të njëjta të punësimit si edhe 374 të punësuar të tjerë dhe se më duhet ta ripërsëris, se si ministër i Shëndetësisë nuk i kam kontribuar punësimit të tij, pavarësisht se është miku im”, tha ai.
Andaj, thekson se kushdo që keqpërdorë detyrën e tij dhe kushdo që është i përfshirë në afera të ndryshme, duhet të përballet me organet e rendit dhe të drejtësisë.
“Para ligjit secili jemi të barabartë. U jam mirënjohës pafundësisht institucioneve shëndetësore për punën që kanë bërë deri më tani, si dhe qytetarëve për mirëkuptimin e treguar në luftën kundër pandemisë. Si ministër, garantoj se asnjëherë nuk do të tolerojmë dukuritë negative dhe do të denoncojmë pa hezitim çdo rast që i vë hije të zezë punës së madhe të personelit shëndetësor në përgjithësi dhe IKSHPK-së në veçanti”, përfundoi Zemaj.
Në fund Zemaj falënderoi mediat, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre se ai është i detyruar të pëmbahet nga komentet për këtë rast, pasi që nuk dëshiron që deklarimet e tij të kenë ndonjë ndikim në hetimet që po zhvillon për rastin në fjalë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/