image Ministri turk: Amerikania e infektuar me koronavirus ka udhëtuar nga Tirana

Botë

Epidemia/ Ministri turk: Amerikania e infektuar me koronavirus ka udhëtuar nga Tirana

news image

Një amerikane e diagnostikuar me koronavirus në shtetin Merilend, në SHBA, dyshohej se kishte udhëtuar nga Turqia. Por autoritetet turke thanë se ajo vetëm sa kishte qëndruar transit në Stamboll, pasi ishte nisur prej Shqipërisë për në SHBA.

Ministri turk i Shëndetit, Fahrettin Koca, tha se gruaja 86 vjeçare nuk ishte diagnostikuar pasi kishte vizituar Turqinë.

“Nga të dhënat e dy javëve të fundit, kemi vetëm një grua amerikane 86-vjeçare. Ajo nuk vizitoi Turqinë, por më 3 mars ishte në një fluturim nga Tirana drejt Uashingtonit, përmes Stambollit”, shkroi Koca në Twitter.

Edhe ambasada amerikane në Ankara konfirmoi këtë version disa orë më vonë, duke thënë se e moshuara kishte qëndruar gjatë gjithë kohës në dhomën e transitit. Reagimet erdhën një ditë pasi Guvernatori i Merilendit, Larry Hogan, tha se gruaja ishte infektuar pasi kishte udhëtuar në Turqi.

Mbrëmjen e të martës, Koca konfirmoi edhe rastin e parë të një personi të infektuar me koronavirus në vend, diçka që e kishte paralajmëruar gjatë ditës, duke thënë se rreziku ishte tepër i lartë. /Gazeta Sinjali/