Rusia do të përdorë vetëm armë konvencionale në Ukrainë. Këtë e tha ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, gjatë një interviste për televizionin India Today, duke iu përgjigjur pyetjes për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore në konflikt.
Shefi i diplomacisë ruse nënvizoi se tashmë ka nisur faza e dytë e operacionit special ushtarak në Ukrainë.
“Jam i bindur se ky do të jetë një moment shumë i rëndësishëm në të gjithë këtë operacion special”, u shpreh Lavrov.
Ministri rus akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se nuk është serioz në ato që nxjerr nga goja. “Ai flet shumë. Varet nga ajo që tymos, nëse tymos duhan, por ai thotë shumë”, është shprehur Lavrov, shkruan a2cnn.
Fazën e dytë të operacionit special e komentoi dhe ministri rus i mbrojtjes, Sergej Shoigu, i cili lëshoi disa akuza ndaj vendeve perëndimore se qëllimisht po zgjasin konfliktin në Ukrainë.