image Ministri italian ia plotëson dëshirën kosovarit që ia bëri një kërkesë në Twitter

Ministri italian ia plotëson dëshirën kosovarit që ia bëri një kërkesë në Twitter

news image

Me rastin e 21-vjetorit të fillimit të misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë, një i ri nga Kosova, Shpend Lila, i shkroi në Twitter Ministrit të Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini, duke i kërkuar që ta ndihmonte të gjente një ushtar italian përmes një fotografie të vitit 1999, ku ata kishin dalë bashkë dhe ministri e gjeti.

Lila i shkruante ministrit: “I dashur Ministër, kjo është një fotografi e imja me një ushtar italian në vitin 1999. Ju lutem, më ndihmoni ta gjeni atë që të mund ta ribëjmë këtë foto në Gjakovë, Kosovë ???? Do të ishte e mrekullueshme”.

Ndërsa ministri i përgjigjet: “I dashur Shpend, kemi lajme të mira për ju. E kemi gjetur ushtarin në foton tuaj. Ju lutemi, na dërgoni kontaktet tuaja privatisht, në mënyrë që ai të kontaktojë me ju”.

Asokohe, ushtari italian ishte paraqitur si vullnetar dhe ishte pjesë e regjimentit 9 të parashutistëve, të quajtur “Col Moschin”. Sot, ai është oficer dhe shërben në disa sektorë kyç të ushtrisë italiane dhe e kujtonte atë moment, duke shprehur kënaqësinë që të ritakohej përsëri me djalin nga Kosova. /Gazeta Sinjali/