Dy marrëveshjet për politikën e jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë, që priten të nënshkruhen në mbledhjen e radhës mes dy qeverive, po shihen si shumë të nevojshme. Por që duhet të zbatohen në praktikë dhe përmes iniciativave zyrtare, e jo të mbesin vetëm në letër.
Ministri i Integrimeve Evropiane në Kosovë, Blerim Reka përkundër që e konsideron të nevojshme, thotë se ende institucionalisht nuk di asgjë nga ideja e ministrit Cakaj.
“Kjo është një iniciativë jozyrtare e ministrit Cakaj, ne nuk jemi të njoftuar”, ka thënë Reka, derisa i ka bërë thirrje ministrit Cakaj që edhe zyrtarisht ta adresojë çështjen.
“Sigurisht se i nevojitet, prandaj duhet diskutuar dhe takuar ministritë. Prandaj duhet bërë planin e punës dhe veçuar nevojat kryesore që i ka, jo vetëm ministria për integrim, por shoqëria e Kosovës. Cilin kapacitet institucional mund të fitojmë nga Shqipëria, cilën përvojë të dëmshme nuk duhet përsëritur nga Shqipëria në mënyrë që ne, me këtë përvojë të tyre të shkojmë përpara. Por, po iu them edhe një herë kjo është një iniciativë jo zyrtare e ministrit të jashtëm për të cilën ne nuk jemi të njoftuar ”,thotë ai.
Marrëveshja përmbanë ndarjën e përbashkët të shpenzimeve dhe detyrave në lobimin për njohjen e Kosovës, si dhe bartjën e përvojës të Shqipërisë tek Kosova për procesin integrues në BE. Këto janë dy marrëveshjet që i premtoi ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në vizitën që kishte dy javë më parë në vendlindje./ Gazeta Sinjali/