Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur për protestën që është mbajtur sot nga këngëtarët dhe pëfaqësuesit e gastronomisë para Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së dasmave dhe ngjarjeve që lidhen me “industrinë” e dasmave.
Ai tha se deklaratat që janë dhënë sot se nuk ekziston koronavirusi kanë ardhur pas lirimit të masave.
“Jemi ballafaqu me këtë temë pas lirimit të masave, pra pas izolimit. Kjo sepse njerëzit kanë menduar që duhe të vazhdojnë jetën si më herët. Nga grupet e interesit është diskutuar kjo temë, se Covidi-19 është rrenë”, ka thënë Zemaj.
Sipas Zemajt edhe shumë kryetarë të komunave kanë thënë se Covid-19 nuk ekziston.
“Ka edhe kryetarë të komunave të cilët kanë thënë se koronavirusi nuk ekziston. Këto deklarata kanë ardhur nga grupe të ndryshme të interesit”, tha Zemaj në Rtv Dukagjini.
Madje, ai tha se ka pasur edhe tubime me mijëra njerëz, në të cilat kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve.
“Fakti i lejimit të tubimeve ka ngjallur interes. Ka pasur tubime me mijëra njerëz, ku është rrezikuar shëndeti nga përfaqësues institucional”, është shprehur Zemaj.
Ministria e Shëndetësisë deri më sot nuk e ka dhënë dritën e gjelbërt për lejimin e organizimit të dasmave dhe eventeve të tjera familjare./GazetaSinjali/