image Ministri i Arsimit: Nxënësit e këtyre klasave mund t'i mbajnë dy ditë mësim në shkollë, tri në shtëpi

Arsim

Ministri i Arsimit: Nxënësit e këtyre klasave mund t’i mbajnë dy ditë mësim në shkollë, tri në shtëpi

news image

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka marrë pjesë në takimin me kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetarët e komunave, ku tema kryesore ishte mënyra e fillimit të vitit të ri shkollor.

Likaj ka treguar se mësimi do të fillojë më 1 shtator për klasat e para, të dyta dhe të treta. Në fazën e dytë, nga 7 shtatori pritet t’u rikthehen bankave shkollore nxënësit e klasave të katërta, të pesta dhe të gjashta.

Ndërkaq në fazën e tretë që nis nga 10 shtatori, Likaj ka treguar se në bankat shkollore pritet të rikthehen nxënësit e klasave të shtata, teta, nënta, dhjeta, njëmbëdhjeta dhe të klasave të dymbëdhjeta.

Për nxënësit nga klasa e shtatë deri në të dymbëdhjetën, Likaj ka thënë mund të organizohet mësim i kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë në shtëpi. Ai ka dhënë edhe një arsye për këtë ide, shkruan Gazeta Sinjali.

“Për nxënësit e klasave të shtata, teta, nënta, dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta mund të bëhet mësim i kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë në shtëpi. Ne i kemi bërë përgatitjet edhe për mësimin në distancë, për arsye se këta ndoshta janë më të ekspozuar nga rreziku”, ka thënë Likaj pas takimit me kryetarët e komunave.

Ai ka shtuar se vendimi për nisjen e vitit të ri shkollor sipas këtyre tre skenarëve mund të merret shpejt.

“Vendimin e kam gati. Në konsultim me kryeministrin dhe qeverisë besoj që brenda ditës ose në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të vendoset”, ka thënë Likaj. /Gazeta Sinjali