image Ministri Bytyqi përplaset me rektorin e Universitetit të Ferizajt, e quan të ndyrë, shantazhues e të paudhë

Kosovë

Dokument/ Ministri Bytyqi përplaset me rektorin e Universitetit të Ferizajt, e quan të ndyrë, shantazhues e të paudhë

news image

Ministri i Arsimit është përfshirë në një përplasje me rektorin e Universitetit Publik të Ferizajit duke kaluar në rrafsh personal të qërimit të hesapeve për shkak të mospajtimeve dhe sfidimit të autoritetit të tij.

Shyqiri Bytyqi ka kërcënuar Agron Bajraktarin, Rektorin e Universitetit të Ferizajit se do ta padisë për disa fjalë që ky i fundit i kishte thënë në mbledhjen e Këshillit Drejtues.

Përmes një letre, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka paralajmëruar masa ligjore, madje edhe me padi private, rektorin e Universitetit të Ferizajit.

Ministri Bytyqi ka thënë se është i shokuar nga sjella e rektorit pasi që tre anëtarëve të emëruar nga vetë Bytyqi ua kishte kërkuar CV-të. E për këtë Ministri i është drejtuar Bajraktarit me fjalët “Ku e keni marrë këtë guxim?” teksa veprimin e tij e ka quajtur paudhësi.

 “Sjellja dhe kërkesat tuaja bien në kundërshtim të plotë me Ligjin për Arsimin e lartë dhe statusin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Tejkalimi juaj është skandaloz si për kërkimin e CV-së nga të emëruarit e Ministrit, poashtu edhe për kërkesën për planin strategjik para konsolidimit të organeve të Këshillit Drejtues”, ka thënë Ministri Bytyqi përmes një letre të cilën e siguron Gazeta Sinjali.

Ministri Bytyqi e ka pyetur rektorin se ku e merr guximn për t’i kërkuar CV-të tre anëtarëve të propozuar nga vetë ministri, madje veprimin e rektorit e ka quajtur zemërngushtë “Meskin”.

 “Çuditem ku e merrni këtë guxim dhe me ç’bazë veproni kaq jashtëligjshëm, apo udhëhiqeni nga qëllime tjera, mbase edhe meskine, në tërë këtë paudhesi tënden! Përmes kësaj shkrese dua t’ua bëjë me dije se jeni në shkelje të ligjit dhe nuk jeni as në të drejtën tuaj për sa i takon autoritetit që të jep petku i Rektorit dhe as nuk keni kompetenca të tilla”, pohuar ministri Shyqri Bytyqi.

Ministri ka kërkuar që të tërhiqet mbarapa Rektori ose në të kundërtën do të ndëshkohet me masa ligjore.

 “Bazuar në këto, kërkoj nga ju të distancoheni nga veprime të tilla të jashtëligjshme dhe në inkompetencë, ta ndalni menjëherë këtë paturpësi shantazhuese ndaj të emëruarve dhe të gjitha veprimet tuaja jashtë kompetencave tuaja zyrtare, në të kundërtën do të pasojnë masat ligjore!”

E Ministri Bytyqi nuk ka heziturar ta quaj të ndyrë rektorin e Universitetit të Ferizajit.

“Sa i përket fjalorit tuaj pa etikë para KD për Ministrin, populli thotë “i ndyeri ndynë”! Për këtë të fundit shihemi në gjykatë!”, ka thënë Bytyqi. /Gazeta Sinjali/