Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thirrur një tjetër takim special të ministrave të jashtëm të BE-së për të dielën, për të diskutuar për sulmin e vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
Takimi, i planifikuar për në orën 18:00 pritet të vendosë për masat e mëtejshme për të ndihmuar Ukrainën.
“Unë po thërras një takim virtual të ministrave të jashtëm të BE-së nesër në orën 18:00 për të miratuar masa të mëtejshme në mbështetje të Ukrainës, kundër agresionit nga Rusia”, shkroi ai në Twitter.
“Unë do të propozoj një paketë ndihme urgjente për forcat e armatosura të Ukrainës, për t’i mbështetur ato në luftën e tyre heroike“, tha Borrell, raporton REL.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se dërgimi i ndihmës ushtarake nga BE-ja në Ukrainë duhet të lehtësohet dhe shkroi në Twitter se “Ukraina Demokratike do të triumfojë”.