image Mimoza Kusari-Lila ka disa fjalë për PDK-në pas mbishkrimeve fyese ndaj Adelina Graincës

Politikë

Mimoza Kusari-Lila ka disa fjalë për PDK-në pas mbishkrimeve fyese ndaj Adelina Graincës

news image

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas grafiteve me mesazhe fyese për familjen e deputetes së VV-së, Adelina Graincës.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari ka thënë se ato grafite janë “realiteti i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje pos si valutë për shkëmbim dhe zbatim të urdhërave të partisë.”

Tutje Kusari-Lila ka kërkuar nga PDK-ja që ta dënojnë, siç ka thënë, këtë akt të shëmtuar, duke shtuar se nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, atëherë kjo është përgjigja për arsyen e largimit të Graincës nga PDK-ja.

“Nëse ky akt i shëmtuar nuk denohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina deri para zgjedhjes së Presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”, ka shkruar ajo.

Mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.

“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM”, është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.

Përveç në murin e oborrit të shtëpisë, grafite janë shkruar edhe në dritaret e lokaleve të një objekti banesor të familjes Grainca në Ferizaj.

Sinjali pak më parë raportoi se lidhur me këto grafite, është hapur rasti në Polici si “kanosje”.

Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve.

/GazetaSinjali/